Aksident rrugor

Si të sillemi në rast aksidenti rrugor në Itali

Në rast aksidenti, është mirë që të dini detyrat dhe të drejtat tuaja si dhe çfarë duhet të bëni për të marrë kompensimin e duhur. Nëse jeni i përfshirë ose jeni dëshmitar i një aksidenti rrugor me lëndime personash, gjëja e parë që duhet të bëni është të telefononi në numrin unik kombëtar 118. Në këtë rast, është operatori i 118 që do të kërkojë drejtpërdrejt ndërhyrjen e një organi të policisë rrugore (Policia Komunale, Rrugore ose Karabinierët).

Kujdes, si ata që janë përfshirë në një aksident rrugor (edhe nëse besojnë se nuk kanë asnjë përgjegjësi), ashtu edhe ata që janë dëshmitarë të thjeshtë, nuk duhet të largohen nga vendi i aksidentit, por të qëndrojnë në pritje të organit të policisë rrugore, e cila duhet të sigurojë të dhënat e tyre. Largimi nga vendi i aksidentit nëse jeni i përfshirë (edhe nëse nuk jeni përgjegjës) është një fakt shumë i rëndë, i cili mund të përbëjë një krim.

Ndërsa jeni duke pritur organet policore, automjetet nuk duhet të lëvizen absolutisht. Nëse nuk ka lëndime, këshillohet të plotësoni formularin miqësor të raportit të aksidentit; në këtë mënyrë lehtësohen operacionet e rimbursimit nga kompanitë e sigurimeve. Gjëja më e thjeshtë që duhet të bëni është të plotësoni formularin blu miqësor të raportit të aksidentit (C.A.I.), me të cilën kompania ju ka pajisur në kohën e nënshkrimit të kontratës dhe t’ia dërgoni kompanisë suaj. Në rast të një marrëveshjeje mbi dinamikën e aksidentit, është e rëndësishme që formulari blu të nënshkruhet nga të dy shoferët e përfshirë, për të shkurtuar kohën e kompensimit të dëmeve. Në rast mosmarrëveshjeje  mbi dinamikën dhe përgjegjësinë, është, megjithatë, e dobishme të plotësoni formularin individualisht për të siguruar versionin tuaj të dinamikës së aksidentit.

Nëse formulari blu nuk është plotësuar, gjithësesi duhet të informoni kompaninë tuaj me shkrim, dhe të formuloni, gjithashtu në interesin tuaj, të ashtuquajturin “raport paraprak”, domethënë, përshkrimin e aksidentit. Për të marrë kompensim për dëmin e pësuar, ekzistojnë dy procedura të ndryshme: procedura e zakonshme dhe ajo e kompensimit të drejtpërdrejtë.

Procedura e kompensimit të drejtpërdrejtë është më e përhapura. Ju mund ta aktivizoni atë, duke kontaktuar drejtpërdrejt kompaninë tuaj:

1) nëse në aksident janë përfshirë vetëm dy automjete, të regjistruara dhe të siguruara në Itali;

2) nëse nuk jeni përgjegjës për aksidentin (ose ju jeni vetëm pjesërisht). 

Me këtë procedurë mund të kërkoni dëmshpërblim të drejtpërdrejtë për dëmtimin e automjetit dhe sendeve të transportuara dhe/ose lëndimeve deri në 9 pikë të aftësisë së kufizuar (të ashtuquajtura dëmtime të lehta). Procedura e kompensimit të drejtpërdrejtë është e zbatueshme edhe nëse në njërin ose në tjetrin automjet të përfshirë në aksident, përveç shoferëve, ka persona të tjerë (palë të treta të transportuara) që kanë pësuar edhe dëmtime serioze (mbi 9 pikë); nuk zbatohet në rast se ka edhe dëmtim fizik të pësuar nga kalimtarë.

Procedura e zakonshme

Në rastet e tjera (aksidente që përfshijnë më shumë se 2 automjete ose që rezultojnë me dëmtime të kalimtarëve ose lëndime për shoferin me më shumë se 9 pika të aftësisë së kufizuar, si dhe aksidente me automjete të regjistruara jashtë shtetit) do t’ju duhet të ndiqni procedurën e zakonshme të kompensimit. Në këtë rast është e nevojshme që kërkesa për kompensim t’i drejtohet kompanisë së automjetit përgjegjës për aksidentin. Këtu do të gjeni dy fac-simile të kërkesave për dëmshpërblim: një për procedurën e kompensimit të drejtpërdrejtë dhe një për procedurën e zakonshme.

Kushtet për ofertën e kompensimit

Cilado qoftë procedura që është aktivizuar, kompanisë i kërkohet të bëjë ofertën e kompensimit brenda 60 ditëve nga data në të cilën ka marrë kërkesën për dëmtimin e sendeve ose automjetit dhe brenda 90 ditëve për dëmin e personit.

Afati prej 60 ditësh reduktohet në 30 ditë nëse dy drejtuesit e automjeteve të përfshira nënshkruajnë bashkarisht formularin blu miqësor të raportit të aksidentit (C.A.I.). Në rast të dëmtimit personal, është e nevojshme të dini se 90 ditë kalojnë nga data e paraqitjes së një çertifikate mjekësore të shërimit ose stabilizimit të pasojave. Në faqet e internetit të kompanive mund të gjeni më shumë informacione se si të veproni në rast aksidenti si dhe listën e qendrave të dëmshpërblimeve të aksidenteve që përbëjnë rrjetin periferik të kompanive të ndryshme.

Për të marrë dëmshpërblim brenda afateve të treguara më sipër, është shumë e rëndësishme që kërkesa të jetë e plotë me të gjitha elementet e kërkuara nga ligji. Nëse kërkesës i mungon ndonjë element thelbësor, kompania është e detyruar t’ju kërkojë, brënda 30 ditëve, informacionet shtesë të nevojshme. Pasi të keni pranuar shumën e ofruar, kompania është e detyruar që të bëjë pagesën brenda 15 ditëve të ardhshme.

Lëndimet ne rastin e palës së tretë të trasportuar

Nëse pësoni dëmtime personale si palë e tretë e transportuar, paraqitni kërkesën tuaj për kompensim tek kompania e automjetit në të cilin udhëtonit, e cila do t’ju sigurojë kompensimin e dëmit brenda 90 ditëve, deri ne tavanin minimal ligjor, pavarësisht konstatimit të përgjegjësisë së shoferëve.

Nëse dëmi tejkalon tavanin minimal ligjor, ju do të keni të drejtë të kërkoni pjesën shtesë nga kompania e personit përgjegjës, me kusht që ky i fundit të jetë i siguruar për një shumë maksimale më të lartë se tavani minimal ligjor.

Identifikimi i dëshmitarëve

Jo vetëm në rastin e aksidenteve me dëmtime të personave, por edhe në rastin e dëmtimit vetëm të sendeve, mos harroni të shënoni menjëherë, në raportin e aksidentit ose, në çdo rast, në dokumentin e parë zyrtar që do t’i dërgoni kompanisë së sigurimeve, emrin e dëshmitarëve të pranishëm në vendin e aksidentit. Raportimi në një kohë të mëvonshme në fakt, mund të çojë në papranueshmëri të dëshmive të marra.

 

Studio Ligjore EM-LEX është e përgatitur në fushën e sigurimeve dhe ka mbyllur me sukses shumë praktika në favor të klientëve kundrejt kompanive sigurative. 

Mos hezitoni të na kontaktoni për pyetje dhe dyshime ne lidhje me procedurën.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *